Shoqata e pavarur e gruas “Hareja” në Rahovec u themelua pas luftës  dhe u regjistrua në Korrik të vitit  2000.

Qëllimi kryesor i shoqatës Hareja ishte emancipimi dhe edukimi i grave dhe fëmijëve, integrimi në të gjitha pjesët e shoqërisë dhe promovimi i një shoqërie tolerante dhe multietnike. Gjithashtu  qëllimi i shoqatës Hareja ishte të arrijë edukimin dhe stimulimin e grave dhe fëmijëve përmes kurseve, trajnimeve, këshillimeve, shërbimeve informative duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare, qeverisëse dhe joqeverisëse si dhe me organizata tjera.

 

Në fillim shoqata jonë qëndronte në një shtëpi me qira e cila ishte me lokacion afër parkut në Rahovec dhe më vonë me iniciativën e përfaqësueses së shoqatës gjermane “Amica” Znj. Judith Brand si dhe me përkrahjen e donatorëve të ndryshëm dhe kuvendit komunal në Rahovec, Hareja arriti të ndërtojë qendrën / objektin   për aktivitetet e saj. Shoqata “HAREJA” ndodhet në rrugën “Xhafer Nurkasa” ish rruga “Bujar Thaqi” në Rahovec, është afër shkollës fillore “Isa Boletini” në mes të qytetit me qasje të lehtë për të gjithë qytetarët.

 

Për të ndërtuar këtë qendër Hareja ishte përkrahur nga donatorë të ndryshëm siç janë:

Kuvendi Komunal në Rahovec, Zyra Gjermane në Prishtinë, Fondacioni Kosovar për shoqëri civile, Cordaid dhe  Diakonie nga Gjermania

 

Qysh në fillimet e para të themelimit  aktivitetet e shoqatës Hareja u mbështetën nga donatorë të ndryshëm siç janë: Zyra Gjermane në Prishtinë, Ambasada Amerikane në Prishtinë, Ambasada Holandeze, Renowabis, WGT nga Gjermania, UNICEF, Christian Aid nga Anglia, Diakonie nga Gjermania, SIDA, EWSF, Software Ag, Action Mensch, ASB, Filia nga  Gjermania,   Swiss Caritas, Malteser,  European Union, Freedom House, “ The Global Fund for Women”, OSBE,  KFOR-i Gjerman, KFOR-i austriak, KFOR-i holandez, ADA austriake, Cordaid, UFORK, KCSF, KWS, Shoqata “MARA” nga Holanda, LHW-Liechtenstein,Cimic-u Gjerman, Amica nga Gjermania, ProCredit Bank,  Raiffeisen Bank,  TEB Bank,  PTK, IPKO, ndërmarrja private M&Sillosi, butiku “Ambindi”, butiku “Baby Home”, Shoqata “Nëna Tereze” nga Zvicra. Ndërsa viteve në vazhdim aktivitetet tona u mbështeten nga: Medica Mondiale nga Gjermania, Volkshilfe dhe City of Vienna nga Austria, Swiss Cooperation, Catarina Stiftung nga Gjermania, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Aktivitetet e Harej-ës vazhdojnë të mbështeten nga: Ministria e Punës  dhe Mirëqenies Sociale, Ministria e  Shëndetësisë, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport në Rahovec, Drejtoria e Shëndetësisë në Rahovec.

Shoqata “Hareja” ka bashkëpunim të mirë me organizatat vendore si:LMT, Medica nga Gjakova, SHL-Kosova nga Rahoveci, Organizata “Akti” nga Fushë Kosova, Humedica nga Krusha e Vogël, OJQ “Formo të Ardhmen” nga Prishtina, OJQ “Syri i Vizionit” nga Peja, OJQ “Iniciativa Pozitive” nga Rahovec, OJQ “Hardh Fest”, Shoqata “Krusha” nga Krusha e Madhe, Këshilli Rinor i Rahovecit etj. Poashtu ka bashkëpunim të mirë me Drejtorinë e Arsimit në Rahovec, shkollat fillore dhe të mesme në komunën e Rahovec-it, organizatorët e Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë, shkollën e Muzikës në Rahovec, dhe të gjitha institucionet e tjera komunale, Policinë e Kosovës – Stacionin Policor në Rahovec dhe shtëpinë e shëndetit në Rahovec.

Shoqata jonë është anëtare e Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës dhe që nga Maji i Vitit 2018 jemi anëtar të rrjetit të OJQ-ëve të Rahovecit të quajtur “ROJOR”. Së shpejti do të anëtarësohemi në organizatën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve “KOMF”.

 

Projekti me të cilin Hareja ka filluar aktivitetet e saj ishte:  “Grupe të fëmijëve–socio edukative”, ku në këtë projekt ishin të përfshirë fëmijët e moshës  7 deri në  12 vjet. Numri i fëmijëve që vijuan në qendrën tonë ka qenë 100 fëmijë në javë. Pastaj “HAREJA” ka vazhduar me aktivitetet e tjera për fëmijë, të rinj, dhe gra.

Për fëmijë ka organizuar kurse të ndryshme si: të gjuhës angleze, gjuhës gjermane, matematikë, ndihmë në detyrat e shtëpisë, kurse të baletit, vallëzimit, pianos, violinës dhe këndimit. Poashtu me iniciativën e shoqatës “HAREJA” për herë të parë që nga paslufta hyri në funksion qerdhja e vetmja e qytetit “Tulipanët” me funksion të qerdhes e cila kishte funksionuar më parë si institucion parashkollorë. Kjo iniciativë u përkrah nga Kuvendi Komunal në Rahovec dhe Ambasada Holandeze në Prishtinë. Kjo qerdhe vazhdon të funksionojë në kuadër të Komunës edhe sot e kësaj dite. Poashtu fëmijët vazhdimisht janë dërguar në ekskurzione dhe shëtitje të ndryshme, vizitë në muzet e Kosovës dhe vendet historike-kuklturore, organizimi i festave për fëmijë si 1 Qershori – Dita ndërkombëtare e fëmijëve.

Shoqata “HAREJA” ishte e para që filloi trajtimin dhe rehabilitimin e fëmijëve me nevoja të veçanta të komunës së Rahovecit. Menjëherë pasluftës Harej-ës i është dasht shumë mund dhe sakrificë që t’i kontaktojë prindërit dhe përmes trajnimeve të i vetëdijësoj ata për rëndësinë e trajtimit të fëmijëve në shoqatë.

Për të rinj “Hareja” ka organizuar aktivitete të ndryshme që nga themelimi i saj, siç janë: shëtitje dhe kampe të ndryshme, ligjërata për shëndetin e të rinjëve, ligjërata për parandalimin e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, ligjërata për tolerancë dhe bashkëjetesë me grupe të etnive dhe religjioneve të ndryshme që jetojnë në komunën e Rahovecit, ligjërata për parandalimin e abuzimeve përmes rrjeteve sociale, ligjërata për të drejtat e njeriut, ligjërata për parandalimin e dhunës në familje, në shkolla, për sigurinë në trafik, parandalimi i delikuencës, riparimi i fushës së sportit në shkollën fillore “Ardhmëria” dhe botimi i librit me poezi “Zogjët e ardhmërisë”, riparimi i kulmit dhe banjove në shkollën fillore në fshatin Zatriq, rregullimi i këndit të lojërave në shkollën fillore “Ardhmëria” në mars të vitit 2011, ligjërata për parandalimin e dukurive negative si: duhanit, alkoolit, drogës, prostitucionit dhe HIV-AIDS.

Kurse për gra dhe vajza që nga themelimi “Hareja” ka organizuar kurse shkollore për zhdukjen e analfabetizimit, kurse të floktarisë, rrobaqepësisë, kuzhinës, aftësimin e grave dhe vajzave për vozitje, kurse të gjuhëve të huja, kurse të kompjuterit, ligjërata për shëndetin e grave në përgjithësi, për vetëdijësimin e grave për parandalimin e kancerit të gjirit, kancerit të mitrës, të drejtat e gruas, ushqimin e shëndosh në jetën e gruas, planifikim familjarë, aerobi dhe gjimnastikë ritmike për gra dhe vajza, takime dhe debate me zyrtarë komunal, trajnime për bujqësi, kontrolla gjinekologjike dhe EHO, këshillime, konsulta me gjinekologë, ligjëarata për vetëdijësimin dhe parandalimin e dhunës në familje, rehabilitimin dhe trajtimin e grave të keqtrajtuara seksualisht që nga lufta e deri më tani, takime me gratë e moshuara të komunës së Rahovec-it, radio-programin “Femrat Flasin”, organizimi i tryezave të rrumbullakëta etj.

Rezultatet kryesore që nga themelimi:

  1. Ndërtimi i objektit të shoqatës Hareja prej 720 m2 për aktivitetet e saj për fëmijë, të rinj dhe gra
  2. Hapja e ambulancës gjinekologjike në kuadër të shoqatës e cila funksionon ende
  3. Vetëdijesimi i prindërve dhe i shoqërisë për trajtimin dhe rehabilitimin e fëmijëve me nevoja të veqanta
  4. Aftësimi i 3000 grave dhe vajzave në profesione të ndryshme si flokëtari, rrobaqepësi, kuzhinë, vozitëse etj.
  5. Vetëdijesimi i grave, vajzave dhe i gjithë shoqërisë për të drejtat e tyre, si për tu shkolluar, punësuar, lobuar dhe avokuar për të drejtat e tyre..
  6. Trajtimi dhe rehabilitimi 40 grave dhe vajzave të dhunuara dhe të abuzuara seksualisht  gjatë luftës dhe pas luftës në komunën e Rahovecit.